Gazetarët dhe aktivistë të shoqërisë civile u mblodhën pasditen e sotme në një protestë simbolike në sheshin “Nënë Tereza” kundër mosndëshkimit të shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Duke marrë shkas nga aksidenti i frikshëm i ndodhur një ditë më parë në Tiranë ata shpalosën pankarta me mesazhe të forta për jetën.

“Karroca e jetës! Vizat e bardha në asfalt nuk janë drogë, janë për të kaluar këmbësorët”, kështu thuhet në një prej mesazheve që gazetarët mbanin në duar.

Vëmendjen e mori edhe një pankartë që mbahej në duar nga një fëmijë që bën apel për uljen e shpejtësisë gjatë drejtimit të automjetit.

Protesta vjen një ditë pas aksidentit të ndodhur në Tiranë ku Ajas Sulejmani, i cili drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike, u fut me semafor të kuq duke përplasur te vijat e bardha një çift bashkëshortësh me fëmijën e tyre tre muajsh.