Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi kanosën me pistoletë një 35-vjeçar dhe tentuan ta nxirrnin me forcë nga automjeti i tij, duke e dhunuar.
Nga hetimet, Policia thotë se dyshohet se të arrestuarit Xhevair Islamaj, 31 vjeç Klodjan Hysenaj, 34 vjeç dhe Mario Zekaj 20 vjeç kanë kanosur me pistoletë sportive, për motive të dobëta, 35 vjeçarin, banues në Vlorë, i cili ndodhej brenda në automjetin e tij, në lagjen “Hajro Çakërri”, dhe më pas, kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga automjeti, duke e goditur me grushte dhe me tytën e pistoletës.
35-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në automjetin në pronësi të babait të njërit prej autorëve, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur pistoletën sportive që dyshohet se është përdorur për kanosjen.
Pistoleta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin ku u gjet dhe me automjetin të cilin dyshohet se janë larguar autorët nga vendi i ngjarjes.
Ata akuzohen për veprat penale “Kanosja” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.






