Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme pranoi sot kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për të kaluar për gjykim dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Hetimet për këtë rast u mbyllën në fillim të muajit dhjetor dhe nën akuzë janë 10 persona, nga ish ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako, te zyrtarë të komisioneve të prokurimit dhe sipërmarrësit e përfshirë në përfitimin e koncensionit dhe ndërtimin e impiantit. Prokuroria ka mbyllur ndërkohë dhe hetimet për rastin e Fierit.

Vendimi u mor në përfundim të seancave paraprake ku u dëgjuan dhe pretendimet e palëve të akuzuara, të cilët hodhën poshtë akuzat e ngritura ndaj tyre. Nga 10 të pandehur, 9 prej tyre kërkuan gjykim të shkurtuar, por gjykata nuk u shpreh ndaj kësaj kërkese duke ja lënë vendimmarrjen trupës që do të gjykojë çështjen.

Ndaj ish ministrit Koka rëndojnë tre akuza: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.

Ndërsa ish Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, Alqi Bllako akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”, të kryer në bashkëpunim. Si Koka ashtu dhe Bllako janë të pandehur dhe në rastrin e inceneratorit të Fierit.

Akuza për “Shpërdorim detyre” rëndon dhe mbi anëtarët e komisionit që miratoi koncensionin: Pëllumb Abeshi, Bardhyl Çabiri, Serafin Papa, Etleva Kondi dhe Jonida Zeqo.

Dy akuza, ajo e “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, janë ngritur ndaj Stela Gugallës, ortake e vetme dhe administratore e shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, e cila fitoi koncensionin, Klodian Zotos, ortak i vetëm dhe administrator i “Integrated Technology Services” sh.p.k, shoqëria që mori përsipër ndërtimin, si dhe Mirel Mërtirit, i konsideruar nga prokuroria si pronari i vërtetë i shoqërisë“Albtek Energy” sh.p.k. Të tre janë në arrati. Ndaj Gugallës, në Vjenë ka nisur një proces për procedurat e ekstradimit në Shqipëri./VOA