Ngushëllim për familjarët dhe besim tek organet për zbardhjen e plotë të vrasjes shpreh Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në reagimin e tij të parë për ngjarjen e rëndë të ndodhur orët e para të së martës në Tiranë, ku mbeti i vrarë nga arma e një efektivi të policisë, 25-vjeçari Klodian Rasha.

“Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike. Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës“, shkruan Ministri.

Kjo ngjarje i ka prekur të gjithë, thekson Lleshaj, ndaj dhe kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të zbardhin sa më parë të vërtetën.

“Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët. Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë.

25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga një punonjës i forcave “Shqiponja” rreth orës 01:45 të mëngjesit të së martës në rrugën “Dritan Hoxha” në Laprakë. Efektivi pretendoi se i riu kishte armë në dorë dhe e qëlloi duke e lënë të vdekur. Ndërkohë, punonjësi i policisë është arrestuar dhe akuzohet për tejkalim të kompetencave për përdorimin e armës.