Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si tejet të rëndë dhe tragjike rastin e djeshëm në Gërcallë të Fierit, ku u vra barbarisht nga fqinji 38-vjeçar, vogëlushi Mateo. Në një konferencë shtypi, Rama theksoi se raste të tilla janë të përsëritura dhe duhet një ndërgjegjësim dhe shembull i dhënë, jo vetëm nga politika, por edhe e gjithë shoqëria në përgjithësi.
“Që në kohën e civilizimit romak është vendosur vija ndarëse mes të akuzuesit e të akuzuarit. Por barbaria e trashëguar nga regjimi komunist e jo vetëm, që ishte hapësira ku u rrit një popull i tërë dhe posaçërisht e gjithë gjenerata e politikës së këtyre 30 viteve, me asnjë ide për ekzistencën e të ndryshmit, rivalit, kundërshtarit në ide. Por vetëm me idenë se kush mendon ndryshe, flet ndryshe është armik i cili duhet pushkatuar burgosur, e linçuar publikisht vazhdon ende të ketë gishtat e vet. Është çështje kulturore që nuk zgjidhet sa hap e mbyll sytë, kërkon vite.
Këtë ne e shohim edhe sot, e kemi para syve dhe ju të gjithë jeni të detyruar ta pasqyroni të gjithë këtë furi të gjuhës se vjetra që riprodhohet për arsye dhe mos arsye të rendit të ditës. Edhe në parlamentin e Shqipërisë për fat të keq nuk mungojnë ekstremet për akuzuar të aspektit penal. Kështu që, këtu nuk është çështja e një mesazhi, por e shembullit, gjithsecili me shembullin e vet duhet të përmirësojë këtë helm që karakterizon politikën dhe hapësirën e opinionit publik në tërësi. Çfarë mund të thuhet më shumë se sa durim edhe shembull. Ju thatë dhjetëra e dhjetëra, por fatmirësisht nuk janë dhjetëra, janë raste që përsëriten dhe këto raste ekstreme janë të mjaftueshme sikur të jenë fare pak, për t’u tronditur thellësisht. Ajo që është e përsëritur në vijimësi është dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.