Hetimet për vrasjen e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj të shtunën e kaluar janë shtrirë edhe jashtë vendit tonë. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha sot në një deklaratë për gazetarët se policia po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere.  

Pa diskutim jemi duke punuar, është një ngjarje e rëndë, nuk diskutohet. Policia po punon shumë ngushtë me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese, edhe me partnerët tanë për të zbardhur gjithë këtë ngjarje të rëndë për nga mënyra se si u ekzekutua”, tha Bledi Çuçi.

Sadikaj u vra në zonën e Unazës së Madhe nga një shpërthim i telekomanduar teksa po udhëtonte me automjetin e tij. Fillimisht ai arriti të dalë nga automjeti i gjymtuar por nuk mundi t’u mbijetojë dot plagëve të rënda dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.

Dyshimet janë se ai u vra nga vrasës me pagesë të cilët e ndoqën nga një distancë e afërt dhe bënë shpërthimin e telekomanduar.

i riu ishte pronari i një resorti luksoz në Memaliaj dhe kishte në pronësi edhe disa biznese në Tiranë. Ai kishte qenë i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale.