Ardian Çollaku, i cili mbeti viktimë nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Elbasan nuk është emër i panjohur për policinë. Burime bëjnë me dije për gazetarin e ABC Aldo Kozarja se ai ka qenë i arrestuar për trafik të lëndëve narkotike por edhe për dhunë në familje.

Më herët Çollaku kishte qenë i dënuar edhe në shtetin italian për trafik narkotikësh. Pasi është arrestuar nga autoritetet shqiptare, ai ishte ekstraduar drejt Italisë për të vuajtur dënimin.

Viktima rreth 50-vjeç ishte baba i dy djemve ndërsa kishte përdorur në të shkuarën edhe mbiemra të tjerë, ndër to edhe Subashi.

Sipas informacioneve paraprake ai nuk ishte i skeduar si pjesë e ndonjë grupi kriminal ndërsa deri më tani dyshimet kryesore lidhen me të shkuarën kriminale dhe dënimin në Itali në fushën e narkotikëve.

Ngjarja ndodhi pas orës 19:00 të së hënës në një lokal pranë një pike karburanti ku ai kishte shkuar me makinën e tij për të konsumuar kafe, por autorët po i bënin pritë. Ata kanë qëlluar me breshëri automatiku duke e lënë të vdekur. Një makinë e djegur është gjetur në fshatin Balldre, e cila dyshohet se u përket autorëve. m.v/a