Thoma Mastora nuk e ka pranuar vrasjen e çiftit të të moshurave në Dropull, teksa po merret në pyetje nga oficerët e policisë, në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Gazetari i ABC News, Elidon Berberi raporton se dëshmi ka dhënë edhe bashkëshortja e Thomait, e cila ka deklaruar se ai e ka dhunuar disa herë dhe se më parë, ka marrë trajtim në spitalin psikiatrik të Vlorës.

“Në këtë moment, më është pohuar nga burime se shtetasi Thoma Mastora ende po merret në pyetje nga oficerët e policisë. I vetmi shpjegim që po jep, është se nuk pranon që është ai autori i ngjarjes së rëndë. Por referuar provave, është vërtetuar që ky person të jetë autor i ngjarjes. Nga dëshmia që ka dhënë bashkëshortja e tij, ka deklaruar se ky person ka marrë trajtim në spitalin psikiatrik të Vlorës dhe ka ushtruar disa herë dhunë ndaj bashkëshortes. Sipas policisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit. Autori ka qenë një nga tre personat e parë që u shoqërua në komisariation e Gjirokastrës, njihej si njeri problematik në fshatin Brodisht”, raportoi gazetari Berberi.

Pasi i vrau të dy të moshuarit, autori 69-vjeçar, është larguar për në banesën e tij  që ishte jo shumë larg vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Fillimisht kjo ngjarja u dyshua si një grabitje e mundshme, por pas verifikimeve nuk u gjet asnjë provë. Policia brenda banesës gjeti rreth 5 milion lekë që çifti i të moshuarve kishte të ruajtura, dhe që nuk ishin tentuar të vidheshin.

Gjatë kontrollit të banesës së 69-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës,  dhe prova të tjera që janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Policisë Shkencore./abcnews.al