Policia ka arrestuar  51-vjeçarin Artan Ismalaja, pasi ditën e djeshme në fshatin Bubq të Krujës vrau gruan me thikë. Uniformat blu bëjnë me dije se arrestimi i 51-vjeçarit është bërë në ambientet e spitalit.

Ismalaja u dërgua dje në spotal sepse tentoi të vrasë veten menjëherë pasi masakroi gruan me thikë, duke i shkaktuar vdekje.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. I., 51 vjeç, banues në Tiranë, (në ambientet e spitalit), pasi ditën e djeshme, në Bubq, Krujë, ka goditur me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij, shtetasen K. I., e cila ndërroi jetë,” thuhet në njoftimin e policisë.

Ngjarja  e rëndë ndodhi paraditen e djeshme, pranë një magazine të Bubqit. Çifti jetonte prej vitesh në Tiranë, ndërsa Artani zotëron një servis kamerash dhe kompjuterësh tek ish-stacioni i trenit në kryeqytet.