Pentagoni ka ofruar shumë të pasaktësuar të parave si dëmshpërblim ngushëllues për familjarët e dhjetë civilëve që u vranë në një sulm të gabuar me dron në Afganistan në muajin gusht.

Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së tha se ka bërë një zotim që përfshin edhe pagesa ngushëlluese, përpos punës me Departamentin e Shtetit për përkrahje ndaj anëtarëve të familjes që janë të interesuar të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara.

Në sulmin e 29 gushtit mbetën të vrarë Zemari Ahmbadi dhe nëntë familjarë të tij. Viktimat ishin të pafajshme dhe nuk kishin lidhje me degën e ISIS-it në Afganistan si dhe nuk paraqisnin rrezik për forcat amerikane, tha John Kirby, sekretar për medie i Pentagonit. Në mesin e të vrarëve ishin shtatë fëmijë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Pentagoni kishte thënë se cak i sulmit me dron ishte një sulmues vetëvrasës, i cili përbënte rrezik të menjëhershëm ndaj trupave të udhëhequr nga ShBA-ja në kohën kur po përfundohej tërheqja nga Afganistani. Megjithatë, menjëherë filluan raportimet se në sulm kanë mbetur të vrarë civilë, përfshirë fëmijë në mesin e tyre.

Sulmi me dron u krye vetëm tri ditë pasi një sulmues vetëvrasës i ISIS-it vrau 13 ushtarë amerikanë e dhjetëra civilë afganë, të cilët ishin grumbulluar para portave të aeroportit të Kabulit, duke kërkuar me dëshpërim që të siguronin nga një ulëse në aeroplanët që i largonin njerëzit nga vendi.