Prokuroria e Tiranës, ka vendosur të mbyllë hetimet për efektivin e Gardës së Republikës Alket Arapaj, i cili në 12 shkurt 2019, ka ekzekutuar me armën e shërbimit gruan e tij, Ervilma Seferaj.

Krimi i rëndë ka ndodhur në ambientet e brendshme të shtëpisë, ndërsa shkaku ka qenë xhelozia e vazhdueshme që kishte Alket Arapaj ndaj bashkëshortes.

Në dosjen e prokurorisë së Tiranës thuhet se të dy bashkëshortët ishin besimtarë të fesë islame dhe frekuentonin rregullisht xhaminë në Tiranë.

Nga martesa e tyre 15-vjeçare, çifti Arapaj, kishte lindur një vajzë, e cila në momentin e vrasjes, ishte në gjumë.

Ditën e ngjarjes në datën 12 shkurt 2019 rreth orës 05:00 të mëngjesit, Alket Arapaj, po bëhej gati për në punë, pasi punonte prej 15 vjetëve në radhët e Gardës së Republikës së Shqipërisë.

Por në dalje e sipër nga shtëpia, Arapaj ka nisur sërish konfliktin me gruan e tij, ku shkak ka qenë xhelozia.

Në gjaknxehtësi e sipër gardisti Alket Arapaj, ka nxjerrë armën e shërbimit nga brezi dhe ka qëlluar dy herë në pjesën e kokës, gruan e tij Ervilma Seferaj.

Kjo e fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe në momentin kur ka mbërritur policia, Seferaj është gjendur e shtrirë në ambientet e kuzhinës.

Për krimin e rëndë policia e Tiranës është njoftuar nga vetë gardisti Alket Arapaj, i cili ka telefonuar numrin 112, duke u treguar policëve se ishte efektiv i gardës dhe se kishte vrarë bashkëshorten e tij.

Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar armën e krimit një pistoletë tip “TT” që i përket Gardës së Republikës me 5 fishekë, dy gëzhojë dhe aparatet telefonike.

Gjatë marjes në pyetje Alket Arapaj ka pranuar autorësinë e krimit, duke shfaqur pendesë. Ndërsa tashmë, prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj tij akuzën e “Vrasjes për shkak të marrëdhënies familjare”, vepër penale kjo që çon dënimin me burgim të përjetshëm të autorit.