Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e ka pranuar se në një varrezë masive në Serbi janë gjetur 11 trupa të pajetë të shqiptarëve të Kosovës. Ai tha se në Serbi deri më tani janë ekzaminuar 21 vende të dyshuara për varreza masive me trupa të shqiptarëve të Kosovës.

“Në katër prej tyre kemi gjetur trupa që dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës. Kurrë s’kemi fshehur asgjë, në çdo kërkesë të Prishtinës dhe të institucioneve ndërkombëtare jemi përgjigjur. Në lokacionin Kizhevak janë gjetur mbetjet e 11 trupave, për dy prej tyre, ADN-ja ka konstatuar se janë shqiptarë”, tha presidenti i Serbisë.

Më pas Vuçiç u hodh në sulm kundër Prishtinës duke akuzuar se nuk u janë përgjigjur kërkesave të Beogradit për të kërkuar në më shumë lokacione në Kosovë ku, sipas tij, “janë të varrosur civilët dhe ushtarët serbë të vrarë gjatë përleshjeve në vitet e ’90.

Serbia kishte kërkuar nga Kosova që të hetojë disa lokacione në Suharekë, Klinë, Gjakovë, e më pas edhe rreth kullës së vrojtimit në Koshare, ku janë të varrosur pjesëtarë të ushtrisë së Jugosllavisë të vrarë “gjatë përleshjeve të vitit 1999.

Ne nuk duam të fshehim askënd që ka kryer krim, por duam t’i dimë vendet ku janë vrarë ushtarët dhe civilët serbë, siç janë anëtarët e familjeve Shutakoviç dhe Petroviç, sepse kjo kontribuon në paqen dhe stabilitetin dhe krijimin e një besimi më të madh midis serbëve dhe shqiptarëve”, tha ai duke shtuar se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. 

Abcnews.al