Së shpejti të gjithë përdoruesit e WhatsApp do të kenë mundësinë që të përdorin një shërbim të ri për të bërë bisedat e tyre me miqtë sa më interesante.

Nëpërmjet një GIF të publikuar nga WABetaInfo kemi mësuar se Meta po punon për të ofruar disa emoji të reja të animuara në platformë. Në rastin konkret shfaqet emoji me një kapele party ndërkohë që rrotullohet. Me sa duket në të ardhmen, të gjitha emojit që do të kenë një version të animuar, do të shpërndahen në këtë version në vend të versionit origjinal statik.

Është ende e paqartë nëse përdoruesit do të mund ta çaktivizojnë këtë shërbim, madje nuk dihet edhe se kur emojit e animuara do të shpërndahen më gjerësisht për t’u testuar nga përdoruesit. Fillimisht këto emoji pritet të vijnë në aplikacionin e WhatsApp për desktop, dhe më pas në aplikacionet për Android dhe iOS.

WhatsApp duket se po përdor librarinë Lottie të emoji-ve të animuara. Këto emoji kanë madhësi shumë të vogla dhe vijnë me një kualitet mjaft të mirë të imazhit. Ky shërbim nuk do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si ju diskutoni me miqtë, por duket se e zbukuron bisedën tuaj.

Google Messages dhe iMessage e kanë mbështetur përdorimin e emoji-ve të animuara prej vitesh, dhe tashmë duket se ka ardhur koha që WhatsApp të bëjë një gjë të tillë.