Shpesh herë mund t’ju ketë ndodhur që në një grup me miqtë tuaj të vendosnit për vendin më të ri që do të vizitoni gjatë pushimeve dhe do t’ju duhej të zgjidhnit njërin prej tyre.

Për të adresuar këtë problem ka menduar WhatsApp, përmes shërbimit më të ri që pritet t’i bashkohet aplikacionit, sondazhet në grup. Siç u vu re nga WABetaInfo, në versionin më të ri beta të WhatsApp për iOS gjenden gjurmët e një shërbimi që do t’i lejojë përdoruesit të krijojnë sondazhe brenda grupit ku bëjnë pjesë.

create-polls-whatsapp.jpg

Kur ju do të krijoni një sondazh të ri, fillimisht do të duhet të shkruani pyetjen kryesore dhe më pas duhet të shtoni dhe disa alternativa në mënyrë që pjesëtarët e grupit të zgjedhin alternativën e tyre të preferuar.

Dhe pse ky shërbim është zbuluar vetëm në versionin e aplikacionit për iOS, pritet që të vijë së shpejti dhe në versionin për Android. Nuk duhet të harrojmë se do të duhet pak kohë deri sa ky shërbim të vijë drejt përdoruesve, pasi aktualisht është nën zhvillim e sipër.

Me shtimin e sondazheve në grupe, WhatsApp nuk do të jetë aplikacioni e parë që e ofron këtë shërbim, pasi ai ofrohet në aplikacione të tjera si Telegram apo Facebook Messenger prej kohësh.