Will Smith është ndaluar të marrë pjesë në Oscars apo ndonjë ngjarje tjetër të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit për 10 vjet pas shuplakës ndaj Chris Rock në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscars, njoftoi akademia së fundmi.

“Edicioni i 94-të i Oscars ishte menduar të ishte një festë e shumë individëve në komunitetin tonë që bënë punë të jashtëzakonshme vitin e kaluar; megjithatë, ato momente u lanë në hije nga sjellja e papranueshme dhe e dëmshme e z. Smith në skenë,” tha akademia në një deklaratë.

Akademia kërkoi falje për trajtimin e situatës dhe faktin që lejoi Will Smith të qëndronte në ceremoni dhe të pranonte çmimin “Aktori më i mirë” për rolin e tij në “King Richard” dhe shprehu gjithashtu “mirënjohje të thellë për z. Rock për ruajtjen e qetësisë së tij në rrethana të jashtëzakonshme”.

Përjashtimi nënkupton se Will Smith nuk do të prezantojë asnjë nga çmimet kryesore në Oscars vitit të ardhshëm, siç është traditë për fituesin e çmimit “Aktori më i mirë”. Megjithatë deklarata nuk sqaroi nëse Will Smith mund të nominohet për Oscars gjatë këtij përjashtimi 10-vjeçar.

“Unë pranoj dhe respektoj vendimin e Akademisë,” u përgjigj Smith. Ai paraprakisht dha dorëheqjen nga Akademia javën e kaluar duke i quajtur veprimet e tij “tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme”. Me dorëheqjen, Smith humbi aftësinë për të votuar për të nominuarit dhe fituesit.