Deputeti i PD-së Xhelal Mziu në interpelancën e kërkuar me ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, për ecurinë e punimeve në rrugën e Arbrit, tha se nuk ka përfunduar as gjysma e rrugës.
Ai u shpreh në fjalën e tij se rruga nuk i plotëson standardet dhe se ndërtimi i saj ka një kosto të jashtëzakonshme.
19 herë ka pasur deklarata ose të kryeministrit ose të ministrave për fillimin apo mbarimin e punimeve, por rruga ka ngelur rrugëve. Me rrugën e Arbrit sikur u bë një shpikje…Rruga e parë me PPP që do bëhej do të ishte rruga e Arbrit dhe të ishte hapi i parë i kësaj qeveria me shpikjen e PPP. Kjo rrugë mbetet sërish një ëndërr për dibranët, bulqizakët sepse as gjysma e asaj rrugë nuk është mbaruar…Ajo nuk plotëson edhe kriteret e lidhjes me një qytet”, tha ai duke shtuar: “Rruga jo vetëm që nuk mbaroi brenda afatit por u shty dhe në çdo palë zgjedhje shkonin për të parë punimet”, tha Mziu.
Ndërkohë ministrja Balluku tha se rruga i ndryshoi jetën qytetarëve të Dibrës, duke shtuar se është abuzim që të thuash se “rrugët kanë mbetur rrugëve.”
“Do doja të nisja jo me elementët teknikë, por me demagogjinë politike që u përdor deri tani nga kërkuesi i interpelancës. Nëse kjo rrugë është kaq e rëndësishme, nuk e kuptoj pse kërkuesi i interpelancës nuk i ka shtyrë bashkë partiakët tij që ta bënin këtë rrugë kaq të rëndësishme. Kjo rrugë filloi të bëhej kaq e rëndësishme pasi qeveria Rama bëri studimet e duhura. Të vish në Foltore dhe të thuash që rrugët kanë mbetur rrugëve, ky është abuzim i madh. Sot dibranët, bulqizakët e dinë shumë mirë se si ka ndryshuar jeta e tyre. E di edhe zotëria që kur vinte në fushatë vinte dhe kthehej Brenda ditës. Për sa kohë thotë gjëra të paqenë ky nuk është një problem. Në vitin 2018 është miratuar kontrata e koncesionit të partneritetit publik privat për përmirësimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit. Rruga e Arbrit përbëhet nga një gjurmë kryesore 70 km e gjate e cila lidh periferinë e Tiranës me rrugën ekzistuese. Si dhe nga 2 rrugë lidhëse. Gjithsej rreth 75 km rrugë, nga të cilat 20.12 janë ndërtuar në vitet 2009-2011.
Vlera e kontratës koncensionare është 33 milionë e 600 mijë lekë. Për periudhën korrik 2018 maj 2022 janë realizuar punime në vlerën 26 milionë. Për periudhën 2018-2022 nga buxheti i shtetit është financuar shuma në vlerën 9 milionë e 900 mijë lekë. Nuk ka shtesë dhe nuk do ketë shtesë në këtë kontratë. Shtyrja e afatit të ndërtimit ka ardhur për një sërë arsyesh. Është kërkuar kohë shtesë për ndërtim prej 17 muajsh duke pasur parasysh periudhën e pezullimit të punimeve në tunelin e Murrizit sipas projektit fillestar. Koha e ndërtimit ka qenë 44 muaj, bashkuar në 61 muaj, pra me shtesën 17 mujore. Aktualisht jemi në muajin e 46 ku kemi garantuar ecuri punimesh me ritëm dhe me cilësi e përmbushje të standardeve të ndërtimit. U tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme. Por nëse kjo është kaq e rëndësishme se kuptoj përse kërkuesi i interpelancës nuk i ka shtyrë bashkëpartiakët e tij ta bënin këtë rrugë. Kjo rrugë kaq e rëndësishme filloi vetëm kur qeveria analizoi studimet mbi ata që ishin bërë. Tani flet për vende punë, ndërkohë që përfaqëson Dibrën. Unë kohet e fundit jetën politike e zhvilloj në qarkun e Dibrës, dhe ajo që shoh dhe marr nga njerëzit janë se këto punë të bëra në Rrugën e Arbrit ka ndryshuar jetën e qytetarëve”, u shpreh Balluku.