Zbardhen udhëtimet që bosët e inceneratorëve bënë me supervizorin Arben Dervishaj, ish-deputetin socialist Alqi Bllako si dhe ish-drejtoreshën e koncesioneve në Ministrinë e Mjedisit, Etleva Kondi.
Biznesmeni Dervishaj, përfaqësues i shoqërisë Ave Consulting i cili kishte cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve pranë shoqërisë koncesionare Tecnology Easte Treatment Fier e Klodian Zotos rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit në shoqërinë e biznesmenit, ndërsa në raste të tjera me familjarë të tij, por shpenzimet janë paguar nga bosi i inceneratorit të Fierit, që tashmë është në arrati.
“Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se Arben Dervishaj ka udhëtuar me avion më datë 11 prill 2017 nga Rinasi në drejtim të Torinos në Itali. Me datë 12 prill është kthyer nga qyteti i Romës në Tiranë për të ndjekur ndeshjen e futbollit që do të zhvillohej ndërmjeti Juventusit dhe Barcelonës. Bileta për të ndjekur ndeshjen në shumën prej 2250 eurosh është paguar nga Klodian Zoto”, thuhet në dosje.
Një tjetër udhëtim është i datës 10 qershor 2017, ku Dervishaj nga Rinasi ka fluturuar drejt Stambollit, e prej andej në Tel Aviv në Izrael.
SPAK thotë se ai ka udhëtuar bashkë me të bijën. Ndërsa të dy janë kthyer në Shqipëri me datë 14 qershor. Në dosjen hetimore thuhet se bileta, por edhe qëndrimi në një nga hotelet luksoze në Izreal për supervizorin Dervishaj dhe vajzën e tij janë paguar nga Klodian Zoto, kjo e dokumentuar nga të dhënat e statement-it bankar të llogarisë së biznesmenit në një nga bankat e nivelit të dytë.
Supervizori Dervishaj, akuzohet nga SPAK se ka dorëzuar pranë autoritetit kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë situacione për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar, me qëllim për të justifikuar pagesat e kryera për kompaninë koncesionare.
Në dosjen e prokurorisë rezulton edhe një udhëtim i datës 16 prill 2019, ku supervizori ka fluturuar nga Rinasi drejt Torinos së bashku me Alqi Bllakon dhe Klodian Zoton, ku të tre kanë qëndruar në një nga hotelet luksoze atje.
Biletat për të parë ndeshjen në stadium mes Juventusit dhe Ajax dhe shpenzimet e qëndrimit në hotel janë paguar nga biznesmeni. Të tre janë kthyer në Tiranë nga Aeroporti i Romës me datë 17 prill, pra vetëm një ditë më vonë/BW