Fax News ka zbardhur axhendën që do të ketë nesër Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Kryesia e Partisë Demokratike, dhe padyshim e iniciuar nga kryetari i kësaj force politike, Lulzim Basha. Kuvendi që do të mbahet në ambientet e Pallatit të Kongreseve ka 3 shtylla kryesore të tij, dhe pika e parë lidhet me një vendimmarrje mbi situatën politike.
Edhe pse nuk thuhet në asnjë rresht, ka raportime se Kuvendi mund të vendosë edhe përjashtimin e Sali Berishës apo mbështetësve të tij nga partia. Po ashtu në këtë Kuvend do të miratohet aksioni politik që do të ndjekë opozita në të ardhmen, si dhe do të miratohet programi organizativ.
Në të njëjtën ditë, Sali Berisha ka thirrur në referendum të gjithë anëtarët e PD-së që të votojnë pro apo kundër shkarkimit të Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë, në vijim të vendimeve të marra në Kuvendin e datës 11 Dhjetor.
Axhenda e Kuvendit të thirrur nga Basha:
1- Vendimmarrje mbi situatën politike me si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD dhe agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
2-Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend si edhe ndërtimin e mekanizmit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës , i cili në aleancë me krimin e organizuar ka shkatërruar çdo mjet të funksionit demokratike të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit , kryesisht nga të rinjtë.
3-Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme , sipas Objektit “ partia Demokratike , partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm-Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.
(E.K/Faxweb.al)