Policia e Korçës përmes një komunikate zyrtare për shtyp ka zbardhur dinamikën e plagosjes me thikë të biznesmnenit Sotiraq Misha.
Policia bën me dije se konflikti ka nisur mes djalit të biznesmenit Misha dhe djali të biznesmenit tjetër të njohur në zonë Arben Reli, Anri Reli.
Ka qenë djali i biznesmenit Misha, shtetasi me inicialet E.M., 33-vjeç ai i cili i ka nxjerrë fillimisht armën Anri Relit. Ky i fundit me një mjet prerës thikë ka qëlluar mbi të atin e 33-vjeçarit, biznesmanit Sotiraq Misha.
Njoftimi i plotë i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur një ditë më parë, në afërsi të një kompleksi në Malin e Moravës, Korçë, ku u plagos me sende të mprehta e të forta shtetasi S. M., 68 vjeç, banues në Korçë, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje” të djalit të tij shtetasit E. M., 33 vjeç, banues në Korçë.
Nga deklarimet e marra dhe nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se, shtetasi E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin A. R., 26 vjeç, banues në Tiranë, e ka kanosur këtë të fundit me një send, në dukje si armë zjarri tip pistoletë. Shtetasi A. R., më pas ka plagosur me sende të mprehta e të forta, babain e 33-vjeçarit, shtetasin S. M., i cili ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Korçës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë këtij konflikti ka marrë dëmtime të lehta edhe shtetasi E. M., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasi A. R., u arrestua në flagrancë nga Policia menjëherë pas ngjarjes së ndodhur për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Materialet në ngarkim të shtetasve E. M dhe A. R., i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për hetime të mëtejshme.
Vijon…