Arkeologët në Peru kanë zbuluar mbetjet e një Kishe të katër shekujve më parë. Objekti i kultit i përket Urdhrit Domenikan dhe vlerësohet si gjetje e një rëndësie të veçantë arkitektonike dhe historike.

Arkeologët në Peru kanë zbuluar mbetjet e një kishëze të shekullit të 17-të të Urdhrit Dominikan, gjatë punimeve të restaurimit të një sheshi të vjetër në qendër të Limas.

“Ajo që kemi gjetur janë mbetjet e një manastiri që u ndërtua në 1606,” shpjegoi Martín Bogdanovich, menaxher i Programit Komunal për Rimëkëmbjen e Qendrës Historike të Lima.

Zona e zbulimit nën Plaza “Francia”, rreth 70 metra katrorë, përshkohet nga një tub uji i pijshëm i instaluar dy dekada më parë. Kisha e vjetër u frekuentua nga San Juan Macías (1585-1645), një fetar Dominikan Spanjoll që mori pjesë në ungjillizimin e Perusë nga 1620 dhe u shenjtërua nga Papa Paul VI në 1975.

“Kjo kishëz ishte e mbuluar me pllaka dhe tulla. Ekzistojnë një seri të dhënash që e bëjnë këtë të gjetje të një rëndësie të veçantë arkitektonike dhe historike,” tha Bogdanovich.

Kisha e vjetër, mbetjet e së cilës u gjetën një metër të thellë, u shemb në 1935 si pjesë e punëve të modernizimit në Lima.

Ndër elementët e zbuluar në kishëz janë pllaka Seviliane që ishin në dysheme, qoshe dhe mure, dhe që mbijetuan pothuajse të paprekura pas katër shekujsh. Kishte gjithashtu mbetje sendesh, koka e një kukulle qeramike dhe prej xhami nga shekujt 17 dhe 18, si dhe mbetje të shisheve, bojërave, peletave, butonave dhe shandanëve.

Zbulimi i objekteve para-kolumbiane ose koloniale është i shpeshtë në Peru, i cili ka një trashëgimi të paçmuar arkeologjike. Dominikanët, “Urdhri i Predikuesve”, ishin të parët fetarë katolikë që shkelën në Peru, pasi ata shoqëruan pushtuesin Francisco Pizarro në 1531.

ORA TV