Në fund të muajit maj, Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ndërmori disa masa ndaj shoqërive administruese të fondeve të pensioneve private.

Masat lidhen me korrigjimin e disa shkeljeve të konstatuar gjatë inspektimit të kryer. Megjithëse zakonisht nuk është në praktikën e rregullatorëve të tregjeve financiare të bëjnë publike masat ndaj subjekteve të mbikëqyrura, këtë herë AMF ka vendosur t’i publikojë vendimet.

Shoqëritë adminsitruese janë urdhëruar të përmirësojnë procedurën për informimin dhe transparencën ndaj anëtarëve të fondit të pensionit. Gjithashtu, ato duhet të njoftojnë anëtarët e fondeve, tre muaj para lindjes së të drejtës për përdorimin e aseteve neto në llogarinë e tyre të pensionit, sipas rregullores përkatëse të AMF. Shoqëritë duhet të kenë të detajuar në procedurën e tyre operacionale, afatet dhe mjetet e komunikimit për informimin e anëtarëve në lidhje me ndryshimin e depozitarit të aseteve të fondit.

Shoqërive gjithashtu iu është kërkuar të aplikojnë pranë AMF për të marrë miratimin e delegimit të disa funksioneve tek palët e treta, duke dorëzuar edhe dokumentacionin e nevojshëm. Funksion i deleguar është zakonisht marketimi i fondeve, që shoqëritë administruese në disa raste e delegojnë tek banka tregtare apo agjentë të tjerë të financiarë. Shkelje të tjera të konstatuar nga AMF në shoqëri të veçanta janë mospublikimi në kohë në faqet e internetit të prospektit më të fundit të miratuar nga AMF, mungesa e një procedure për ruajtjen dhe regjistrimin e ankesave, mungesa e një plani vjetor të auditit të brendshëm, duke i’u referuar një matrice risku. Disa prej shoqërive iu është kërkuar gjithashtu të rishikojnë përmbajtjen e kontratave të fondit të pensionit, duke përfshirë edhe rekomandime e lënë në raportin e inspektimit nga AMF.

Sipas të dhënave nga AMF, në fund të muajit mars 2021 numri i kontribuesve arriti në fondet private të pensioneve 31,680, në rritje vjetore me 4.6%. Rreth 56% e numrit të përgjithshëm të anëtarëve janë të përfshirë në plane individuale të pensionit vullnetar, ndërsa rreth 44% e tyre në plane profesionale të krijuara nga punëdhënësit për punonjësit e tyre.

Në të njëjtën periudhë, vlera e aseteve neto arriti në 3.78 miliardë lekë, në rritje me 22.5% krahasuar me një vit më parë dhe me 5% që nga fillimi i këtij viti. Në treg veprojnë aktualisht katër shoqëri administruese të këtyre fondeve./E.Shehu