Një serë kanabisi dhe një magazinë për tharjen e bimëve janë zbuluar nga Policia e Kurbinit në lagjen Drita të Mamurrasit.

Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi kryen një hetim disajavor, zhvilluan operacionin antikanabis të koduar “Light”.

Policia zbuloi kështu një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura dhe arrestoi të zotin e pronës, Y.T, 29 vjeç, banues në lagjen “Drita”. Ai akuzohet për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.

Gjatë kontrollit të ushtruar brenda banesës së 29-vjeçarit që e kishte përshtatur si magazinë, shërbimet e Policisë gjetën 57 kg kanabis në proces tharjeje.

Në vijim të kontrollit u sekuestruan edhe 100 bimë të kultivuara në ambientet e jashtme të banesës së shtetasit Y. T.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.