Deri tani mbi 637 mijë shpendë të ngordhur

Edhe pulat që u gjetën të ngordhura 10 ditë më parë në bregun e Ranës së Hedhun në Shëngjin të Lezhës, ishin të prekura nga gripi i shpendëve. Por Zv/ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi sqaron se nga ky qark nuk ka asnjë rast tjetër infektimi.

“Ferma më e afërt është shumë larg dhe ka qenë gjithmonë në monitorimin e veterinerëve, deri më sot nuk kemi asnjë lloj dyshimi në zonën prej 3 kilometrash apo 10 kilometrash në vatrën e Ranë së Hedhun”.

Harta e gripit të shpendëve është zgjeruar në 7 qarqe të vendit.

“Vatra e fundit e konfirmuar në Lushnje javën e kaluar, ditën e enjte. Pra flasim për 13 vatra në rang vendi dhe për 16 raste që do të thotë se kemi vatra me më shumë se 1 rast dhe këto janë 2 vatra. Rasti i Lushnjes ka qenë me 2800 shpendë. Fermat e mëdha kemi vetëm ato të deklaruara në fillim”.

Sipas protokollit, subjektet me raste aktive karantinohen deri në 21 ditë. Por deri tani asnjë prej tyre nuk është pastruar plotësisht.

“Nga dizinfektimi i parë deri në momentin që ferma është gati duhet të kalojnë 21 ditë. Menjëherë pas kësaj periudhe bëhet prova, futen zogjtë e parë për të parë si reagojnë me ambientin, domethënë që ferma është gati”.

Deri më tani përllogaritet një numër total prej 637 000 shpendësh të ngordhura në të gjithë vendin. Në qarqet Vlorë, Fier, Dibër, Korçë, Tiranë, Durrës, Shkodër, nuk lejohet ende tregtimi i tyre.