Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se situata në Ukrainën jugore dhe Donbas “mbetet jashtëzakonisht e vështirë” pasi Rusia vazhdon t’i japë përparësi operacioneve ushtarake në rajonin e kontrolluar nga separatistët.
Duke folur në një video të postuar në mediat sociale, Zelensky tha se forcat ruse “po përpiqen të kuptojnë se si të konsolidojnë praninë e tyre atje”.
Në rajonin e Donbas, në qytetin jugor të rrethuar të Mariupolit dhe në drejtim të qytetit verilindor të Kharkiv, “trupat ruse po grumbullojnë potencialin për sulme,” paralajmëroi Zelensky.
Të enjten në mbrëmje, sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby tha se “është e qartë se rusët duan të ripriorizojnë operacionet e tyre në zonën e Donbas”.
Forcat ruse po rigrupoheshin për të “intensifikuar operacionet në zonat prioritare dhe, mbi të gjitha, për të përfunduar operacionin për çlirimin e plotë të Donbasit”, tha të mërkurën zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov.
Zelensky përsëriti angazhimin e Ukrainës për të “bërë gjithçka që mundemi për të ndaluar pushtuesit”.