Për herë të parë që nga fillimi i luftës, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u largua nga Kievi.
Këtë të dielë ai zgjodhi të shohë nga afër Kharkivin, qytetin e dytë më të madh në verilindje të vendit dhe shumë afër frontit të luftës. Ai u pa duke vizituar ndërtesat e rrënuara dhe duke takuar ushtarët ukrainas.
Mbi 30% e territorit të rajonit të Kharkiv është ende e pushtuar nga rusët ndërsa forcat ukrainase kanë nisur një kundërofensivë për çlirimin e këtyre territoreve.
Ndërsa këto pamje vijnë nga rajoni i Kharkivit, ku bombat ruse shkatërruan një impiant me panele diellore për prodhimin e energjisë. Këta kraterë të mëdhenj dëshmojnë fuqinë shkatërrimtare të bombave që po përdorin rusët ditët e fundit.
Për t’u bërë ballë të tilla sulmeve, zyrtarët në Kiev lëshuan një tjetër thirrje ndaj Perëndimit që të shtojë furnizimet me armatime të rënda për ushtrinë ukrainase. Tashmë nevojitet artileri me rreze të gjatë veprimi.
Ditët e fundit, në Ukrainë kanë mbërritur topat Houicer me rreze të gjatë veprimi, ndihmë nga Shtetet e Bashkuara.
Sakaq, zyrtarët ukrainas thonë se deri më tani kanë shkatërruar 30% të tankeve moderne që rusët kanë dërguar për luftime në terren. Sipas Kievit, bilanci i ushtarëve rusë të vrarë ka arritur në 30 150.