Një grup prej njëmbëdhjetë kryebashkiakësh të qyteteve të Ukrainës vazhdojnë të mbahen rob nga forcat ruse, përsëriti të hënën zëvendëskryeministrja e Ukrainës.

“Kjo është absolutisht e vërtetë. Ne e dimë se të gjithë kryetarët e bashkive të qytetit, ata janë në robëri, ata po mbahen peng nga rusët, ata për fat të keq nuk po na i kthejnë neve”, tha Iryna Vereshchuk për Erin Burnett të CNN të hënën.

“Fatkeqësisht, deri më tani, nuk kemi mundur të kontaktojmë, apo të lirojmë ndonjë kryetar bashkie tjetër, madje nuk e dimë, mendojmë se disa prej tyre janë vrarë”, tha ajo duke folur përmes një përkthyesi, shkruan CNN.

Të dielën, në një mesazh të postuar në mediat sociale, Vereshchuk tha se 11 kryebashkiakë lokalë nga Kievi, Kherson, Mykolaiv dhe rajonet e Donetsk “janë në robëri ruse”. 

“Nëse nuk e ndalojmë Putinin sot, së bashku, ky është vetëm fillimi i atyre mizorive që do të zbulojmë më vonë. Sepse ndërsa po flasim tani me ju, ka më shumë se 100,000 civilë, gra, fëmijë, të moshuar, të cilët po vdesin në qytetin e Mariupol për momentin,” tha ajo.  

“Njerëzit po vdesin, nga uria, nga etja, nga plagët e rënda, nga sulmet ajrore, mijëra prej tyre po vriten. Është një gjenocid kundër civilëve ukrainas. Dhe Putini, ai e kupton se nuk mund ta ndalë ushtrinë ukrainase, dhe për këtë arsye ai ka një taktikë tjetër. Ai po torturon dhe përdhunon civilë ukrainas, gra, dhe kjo është ajo që po bën e ashtuquajtura ushtria e tij e dytë. Ata po luftojnë kundër civilëve dhe ne duket se thjesht po shikojmë të pafuqishëm kundër tyre.”