Një fond prej 2 miliardë lekësh është shtuar në buxhetin e vitit 2023 për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Përmes një vendimi ky fond i ka kaluar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Fondi do të shkojë për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në dy bashki të tjera, përveç  bashkisë Vorë.

Sipas KQZ dy Bashkitë e mëdha që janë në diskutim  aktualisht: janë Elbasani dhe Kamza.

Vendimi i qeverisë:

Nr. 38, datë 27 1.2023
PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2023, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, TË DATËS 14 MAJ 2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 87, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023, i shtohet fondi prej:
  2. a) 1 993 610 933 (një miliard e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e tre) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”;
  3. b) 606 389 067 (gjashtëqind e gjashtë milionë e treqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.
  4. Efekti financiar, i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet:
  5. a) 1 800 000 000 (një miliard e tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për përballimin e kostos së zgjedhjeve, miratuar për vitin 2023;
  6. b) 800 000 000 (tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2023.
  7. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Belinda Balluku