Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar fletën e votimit me emra për 12 qarqet e vendit.

Këtë e ka bërë të ditur kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në mbledhjen e ditës së sotme duke mos miratuar fletën e votimit me numra. Për këtë vendim, mund të bëhet ankim brenda tre ditëve në KAS.

“Në lidhje me përmbajtjen e fletës së votimit, vendimi i komisionerit është ky, miratimin e fletës së votimit me përmbajtje respective për çdo qark në formatin landscape duke përshtatur sipas numrit të kandidatëve madhësinë e fontit dhe stilizimet e logove.

Për çdo qark, mënyra e të shkruarit, fonti dhe karakteristika të tjera teknike të shkrimit do të varet nga numri i kandidatëve për çdo qark”, tha Celibashi.

Madhësia e fletës nuk do të ndryshojë nga qarku në qark, ndërsa madhësia e shkrimit ndryshon nga një qark në tjetrin për shkak të numrit të kandidatëve. Në Tiranë, ku janë 36 kandidatë për deputetë do të jenë emrat me germa më të vogla.

Top Channel