Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbajtur më 3 prill. Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga organizatat joqeveritare në Serbi, IPSOS/CeSid, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe dhe kreu aktual i shtetit, Vuçiç ka fituar gati 60 për qind të votave. Presidenti mund të zgjidhet në raundin e parë nëse merr më shumë se 50 për qind të mbështetjeve, në të kundërtën shkon në balotazh.

Vuçiç pranoi se konfliktit në Ukrainë ndikoi fushatën dhe tha se Serbia nuk ka në plan të devijojë nga loja e balancuar mes përpjekjes për t’iu bashkuar BE dhe lidhjet e afërta me Rusinë dhe Kinën. Në fjalimin e fitores ai tha se Beogradi do të ruante politikën e neutralitetit ushtarak dhe marrëdhëniet miqësore me Moskën. 

“Ne kemi marrëdhënie të mira e partneritet në shumë fusha dhe do të bëjmë më të mirën tonë për t’i ruajtur ato. Do të vazhdojmë të ndjekim një politikë që është e rëndësishme për europianët, rusët dhe amerikanët. Do të vazhdojmë me politikën e neutralitetit ushtarak”, tha Vuçiç

8 kandidatë garuan për postin e presidentit, por rivali kryesor i Vuçiç ishte ish-kreu i Forcave të Armatosura Zdravko Ponosh nga qendra e djathtë. Pavarësisht humbjes së qartë, Ponosh u shfaq me tone sfiduese para mbështetësve, duke thënë se zgjedhjet shënonin fundin e një epoke për Vuçiç dhe SNS. 

“Ne i fituam këto zgjedhje në zonat urbane. Fituam votën presidenciale në këto zona dhe me gjasë do të kemi një rezultat të mirë edhe në Beograd. Patëm gjithashtu rezultate të kënaqshme edhe në zgjedhjet parlamentare”, tha Ponosh.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, lista “Aleksandar Vuçiç – Së bashku mund të bëjmë gjithçka” ka siguruar mbi 43 për qind të votave, dhe bashkë me partnerin e koalicionit partinë socialiste që ka siguruar mbi 11 për qind të votave, mund të ketë një shumicë të rehatshme në parlament.  

Sakaq koalicioni opozitar “Të bashkuar për fitore” pritet të dalë partia e dytë parlamentare me 12.9 për qind të votave.

Partitë shqiptare garuan me dy lista në zgjedhje, “Koalicioni i Shqiptarëve për Luginën” i Shaip Kamberit dhe “Alternativa për Ndryshim” e Shqiprim Arifit.  Por sipas rezultateve paraprake shqiptarët do të përfaqësohen vetëm me një deputet në Kuvendin e Serbisë, dhe zëri i vetëm do të jetë Shaip Kamberi.