Por më shumë sesa për paraqitjen, shumë klube i kanë mbajtur sytë nga ky duel, ato shumë skuadra që janë vënë në ndjekje të sulmuesit shqiptar, Rei Manaj, i cili dje pa që t’i ngushtoheshin hapësirat.

Gjithsesi, golat e realizuar deri në këtë fazë përgatitore kanë tërhequr shumë interes, ndonëse pas Sasuolos, Betisit, Kadizit e Famalikaos dje kanë ardhur edhe dy oferta të tjera për futbollistin 24- vjeçar, ndonëse ajo zyrtarja i përket Makabi Tel Avivit. Klubi i famshëm izraelit i ka ofruar Barcelonës shifrën e 1.5 milionë eurove për 50 për qind të kartonit të Rei Manajt, duke iu afruar kështu kërkesës së klubit për shitjen e talentit kuqezi të rritur mes Kremonezes dhe Interit.

Ndërkohë, oferta e dytë është edhe nga më larg sesa Izraeli. Ajo i përket skuadrës së Aktobes në Kazakistan. Edhe pse destinacioni në fjalë duket disi i vështirë, çështja është se presidenti i këtij ekipi, Jarlan Jamantiev, ka nisur tashmë kontaktet me menaxherin e Rei Manajt. Gjithsesi, diçka më konkrete do të mësohet në ditët në vazhdim.