Në betejën ndaj parandalimit të pastrimit të parave përfshihet edhe Vatikani. Selia e shenjtë ka bërë të ditur se për 9 persona janë ngritur akuza për vepra penale që përfshijnë, zhvatje, abuzim me detyrën dhe mashtrim në lidhje me një investim në pasuri të paluajtshme në Londër që do të prekte shifrën e 350 milionë eurove.

Në deklaratë bëhet e ditur se mes të procedurave është edhe një kardinal Italian, katër ish-zyrtarë, përfshirë dhe dy në rangun e lartë të sekretariatit të shtetit. Këta të fundit do të dalin para trupit gjykues në datën 27 korrik ku edhe do të njihen me akuzën por dhe masën që do të merret për ta.

Mediat italiane bejnë të ditur se në mesin e të akuzuarve është edhe kardinali Angelo Beçiu, të cilin, Papa Françesku e përjashtoi vitin e kaluar.

Ai është zyrtari më i lartë i Vatikanit që është akuzuar për krime financiare.

Papa Françesku personalisht kishte miratuar ngritjen e aktakuzës ndaj Beçiu, i cili ishte deklaruar i pafajshëm gjatë një hetimi dyvjeçar që u krye ndaj tij.

Prokurorët në Vatikan thonë se të akuzuarit dyshohen se kanë marrë miliona nga Selia e Shenjtë përmes taksave dhe humbjeve të tjera, gjatë marrëveshjeve të tjera financiare.