Një person është hedhur sot nga trageti i kompanisë “Arbëria” në ujrat pulieze.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane të cilat theksojnë se ngjarja ka ndodhur në tragetin e linjës Durrës-Bari ku personi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur pas një zënke me gruan është hedhur në det.

Menjëherë një pasagjer i cili ka parë personi të veshur me një jelek shpëtimi i ka dhënë alarmin kapitenerisë së tragetit e cila më pas ka lajmëruar edhe Portin e Barit  i cili ka dërguar menjëherë dy patrulla dhe ka kërkuar ndihmë nga një helikopter ushtarak dhe një tjetër anije nga Guarda di Financa.

Kapiteneria e portit të Barit, ka dërguar gjithashtu tre tragete të tjera për të vazhduar kërkimet. Në total janë 4 tragete, tre anije dhe një helikopter të cilët po punojnë për gjetjen e pasagjerit që u hodh në ujë