Parlamenti i Malit të Zi miratoi këtë të Premte, një rezolutë që njeh gjenocidin serb në Srebrenicë. Rezoluta pranon dhe dënon masakrimin dhe vrasjen nga ushtria serbe të mbi 8 mijë myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjes në vitin 1995. Po ashtu 11 Korriku shpallet dita e përkujtimit të viktimave të genocidit.

Pro saj votuan 55 deputetë nga 81 në total që ka Parlamenti. Me partitë shqiptare dhe opozitën bashkuan votat edhe deputetët e partisë URA të zv/kryeministrit Dritan Abazoviç dhe të tjerë nga koalicioni qeverisës. Rezoluta u përshëndet nga anëtarët e presidencës boshnjake dhe kroate të Bosnjës, por jo nga serbët.

Parlamenti miratoi po ashtu kërkesën e kryeministrit Zdravko Krivokapiç për shkarkimin e Ministrit të Drejtësisë, Vladimir Leposaviç. Disa muaj më parë ai mohoi faktin që ushtria serbe kishte kryer genocid në Srebrenicë.

Mediat malazeze shkruajnë se shkarkimi i ministrit që vjen nga radhët e serbëve të Fronti Demokratik, ka detyruar zyrtarët e saj të rishikojnë marrëveshjen e koalicionit qeverisës ku ata janë forcë e parë.

fax web