10 vjedhje të ndodhura në Tiranë janë zbardhur nga policia dhe janë arrestuar tre prej autorëve.

Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. P., 28 vjeç, B. P., 36 vjeç dhe S. K., 32 vjeç, të tre me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes. Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 20.04.2021, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur biçikletën e shtetasit G. B. Nga veprimet ka rezultuar se këta shtetas janë autorë edhe të vjedhjes së 5 biçikletave, vjedhjes në një banesë dhe në një dyqan. Gjithashtu shtetasi S. K. ka qenë person i shpallur në kërkim policor, pasi më datë 27.03.2021 dhe 02.04.2021 ka kryer 2 vjedhje të ndryshme (1 banesë dhe 1 biçikletë). Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 6 biçikletat e vjedhura.

Në kuadër të operacionit “Investitori”, i zhvilluar më datë 08.12.2020, si rezultat i të cilit u vu në pranga një 49-vjeçare, ka vijuar puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u bë kapja dhe u ekzekutua urdhri i ndalimit për shtetasin në kërkim A. S., 39 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale “Mashtrim i kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë” dhe “Mashtrim me pasoja të rënda”.

Në vijim të operacionit u shpall në kërkim dhe shtetasi D. H. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin iu kanë marrë shuma të konsiderueshme parash shtetasve të ndryshëm, duke iu premtuar klering/ndërrim apartamentesh, njësi shërbimi, hekur në funksion të ndërtimeve të pallateve apo pajisje me kabina elektrike të tensionit të lartë në funksion të pallateve.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 proceduan penalisht shtetasin F. H., 46 vjeç, përfaqësues i një subjekti politik, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, sepse ditën e djeshme, shtetasi B. G. ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi disa persona i kishin bllokuar rrugën në lagjen Ibra, fshati Vaqarr, duke e kërcënuar të zbriste nga makina, me pretendimin se në këtë mjet kishte produkte ushqimore që përdoreshin në këmbim të votës. Nga veprimet e kryera ka rezultuar se ushqimet ishin përgatitur për t’ua shpërndare për iftar, besimtarëve mysliman që agjërojnë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Top Channel