Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, në të cilën pretendohet se janë të përfshirë disa punonjës të saj në qytetin e Sarandës të cilët dëgjohen të komentojnë me fjalor jo etik dy turiste që po kalojnë pranë tyre.

Në një njoftim zyrtar, AMP bën me dije se ka vendosur pezullimin e përkohshëm të punonjësve që pretendohet se shfaqen në video, ndërsa ka nisur procedimin disiplinor për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Gjithashtu, agjencia njofton se po kryhen veprimet e para procedurale dhe materialet përkatëse do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme sipas kompetencës.


Njoftimi i AMP:

Lidhur me publikimin në rrjetet sociale të një videoje, në të cilën pretendohet se janë të përfshirë disa punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në qytetin e Sarandës, ju informojmë si më poshtë:

Në datë 11.06.2026, punonjësit e AMP-së ndodheshin në qytetin e Sarandës, së bashku me punonjës të Policisë së Shtetit, në kuadër të zbatimit të urdhrit të prokurorit, të nxjerrë mbi bazën e vendimit të gjykatës, për kontrollin e banesës së punonjësit të policisë Ajdin Islamaj.

Shtetasi në fjalë është person nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 304/2026, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndaj të cilit është caktuar masë sigurimi. Gjatë veprimeve për ekzekutimin e urdhrit të kontrollit, punonjësi i policisë fillimisht ka kundërshtuar dhe ka refuzuar të hapë derën e banesës për ushtrimin e kontrollit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka marrë masën e pezullimit të përkohshëm të punonjësve të pretenduar si të përfshirë në video dhe ka nisur procedimin disiplinor për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Njëkohësisht, po kryhen veprimet e para procedurale dhe materialet përkatëse do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme sipas kompetencës.

GEAM Sh.p.k