Mbledhja e sotme në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, është shoqëruar me debate, për shkak të nismës së qeverisë për heqjen nga tregu të qeseve plastike.

Ka qenë relatori Fadil Nasufi ai që ka bërë prezantimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”.

E pranishme në këtë komision ka qenë dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila tha se nisma për heqjen e qeseve plastike nga tregu, nuk është e re.

“Ne propozojmë prodhimin apo futjes në territorin e RSH futjen e qeseve plastike mbajtëse, të cilat bëjnë pjesë në kategoritë që ne kemi parashikuar në ligj”, tha Kumbaro, ndërkohë që janë paralajmëruar gjoba qoftë për bizneset, qoftë për përdoruesit.

Gjobat për prodhuesit dhe importuesit e qeseve plastike mbajtëse do të jetë nga 1 milionë lekë në 1 milionë e 500 mijë lekë.

Ndërkohë që për përdoruesit gjoba do të jetë nga 30 mijë në 100 mijë lekë. Kumbaro deklaroi se kjo nismë është marrë më herët nga shumë shtete europiane, e madje aty ka shkuar dhe më tej.

Për deputetin Agron Duka gjoba për përdoruesit është e tepërt, sa kohë që ata nuk kanë njohuritë e duhura për materialet që marrin.

“Më duket e tepërt gjoba për përdoruesit. Të dënosh me 100 mijë lekë një përdorues, e tepërt. Përdoruesit nuk janë kaq të kualifikuar të dinë  për dekompozimin e qeseve. Sugjeroj të ndryshojnë masat e gjobës. Shihni se vendi është i mbushur me maska, tamponë e shiringa, merrni masat që të higjenizoni ambientin nga këto”, tha Duka.

Vërejtje për këtë projektligj kishte dhe deputeti tjetër i opozitës Lefter Gështenja, i cili tha se ministria nuk ka bërë asnjë konsultim me grupet e interesit.

“Nuk keni bërë asnjë konsultim me grupet e interesit, në këtë industri janë investuar 50 mln euro. A keni bërë ndonjë plan me këtë kategori? Projektligji që ju propozoni nuk e zgjidh problemin e ndotjes së mjedisit”, tha Gështenja.

Pas diskutimit në Komisione, ky projektligj pritet që të kalojë në Kuvend.