Një shofer 21 vjeçar është arrestuar nga Policia Rrugore e Tiranës, pasi lëvizte me një mjet luksoz Mercedes Benz në rrugët e kryeqytetit dhe shkeljet e rregullave të qarkullimit i reklamonte në rrjetin social Tik Tok.

Menjëherë pas pamjeve, i riu është ndaluar nga shërbimet e Policisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” teksa drejtonte mjetin duke përdorur celularin, pa vendosur rripin e sigurisë dhe pa leje drejtimi.

Gjatë testit të kryer me AquilaScan rezultoi se ky shtetas drejtonte mjetin, nën efektin e lëndëve narkotike. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt””, njofton Policia Rrugore e Tiranës dhe publikon pamjet.