29 Maji do të jetë shansi i fundit për opozitën, e cila duhet të propozojë emrin e kandidatidatit për President deri në orën 16:00, ose në të kundërt kreu i ri i shtetit do të zgjidhet nga mazhoranca, që ka votat, por edhe një emër që e mban të fshehtë.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, vendosi që të mos propozojë asnjë kandidat në 2 raundet e para, pasi akuzoi mazhorancën se kishte prishur marrëveshjen për të cilën ishte rënë dakort në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve. Marrëveshja e propozuar nga Alibeaj ishte e tillë: Opozita propozon 4 kandidatura, të cilat diskutohen me mazhorancën, për të shkuar më pas te zgjedhja e vetëm 1 kandidati, i cili do të votohej në Kuvend.

Një marrëveshje që Taulant Balla e kundërshtoi, pasi sipas tij, kjo do të thoshte Presidenti t’i jepej opozitës, me mazhorancën që s’do të kishte të drejtën e propozimit. Alibeaj dhe deputetët që e mbështesin kanë të drejtë të propozojnë vetëm 1 emër, pasi ka vetëm 31 deputetë që e mbështesin, ndërkohë që Grupi i Rithemelimit ka dalë kundër negociatave, pasi sipas tyre mazhoranca e ka zgjedhur kreun e shtetit, por po pret vetëm raundin e katërt që ta votojë.

Pak ditë pas djegies së raundit të parë të votimit, opozita doli me një listë prej 8 emrash, të cilët do të diskutoheshin në mbledhjen e Grupit Parlamentar për të zgjedhur 4 prej tyre, por mbledhja u anulua, për shkak se PD akuzoi mazhorancën për prishjen e marrëveshjes së sipërpërmendur.

Nëse opozita do të vendosë të propozojë, me shumë mundësi emri i kandidatit do të jetë një prej: Leonard Demi, Arben Çejku, Dritan Demiraj, Visar Zhiti, Rexhep Uka, Halim Kosova, Dashamir Shehu dhe princi Leka Zogu. Ndërkohë, mazhoranca e ka mbajtur të fshehtë emrin që do të votojnë për kreun e ri të shtetit.

Opozita ka “fishekun” e fundit, të shohim nëse do e përdorë apo do t’ia dorëzojë armët mazhorancës, e cila është e gatshme që të godasë në shenjë që në votimin e parë.