Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, paraqiti këtë të martë propozimet e institucionit për ndryshimin e ligjit antimafia, duke theksuar nevojën për të eliminuar pengesat që hasen gjatë hetimeve pasurore dhe për të forcuar garancitë procedurale.

Gjatë tryezës së konsultimit të organizuar nga Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, në kuadër të procesit të Kontrollit Post-Legjislativ (PLS), Braho prezantoi gjetjet e SPAK mbi zbatimin e ligjit, rezultatet e arritura dhe problematikat e evidentuara në praktikë.

Ai bëri të ditur se nga 12 çështjet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, të gjitha janë reflektuar në draftraportin e hartuar nga Komisioni.

Nga ballafaqimi i kontributit të institucionit me draftraportin rezulton se 12 çështjet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme janë reflektuar në dokument“, tha Braho.

Sipas tij, ky është një rezultat pozitiv i procesit të konsultimit dhe dëshmi se përvoja e institucioneve që zbatojnë ligjin është marrë në konsideratë gjatë hartimit të raportit.

Braho sqaroi se propozimet e SPAK janë përqendruar në tre drejtime kryesore. Së pari, në qartësimin e kuadrit ligjor, përfshirë çështjet që lidhen me fushën e zbatimit të ligjit dhe veprimin e tij në kohë. Së dyti, në forcimin e garancive procedurale, veçanërisht për mbrojtjen e të drejtave të palëve të treta, të cilave, sipas dispozitave aktuale, mund t’u konfiskohet pasuria pa pasur dijeni dhe pa qenë të pranishme në seancë.

Një tjetër problematikë e ngritur nga kreu i SPAK lidhet me pengesat praktike që hasen gjatë hetimeve pasurore, konkretisht me pagesat për sigurimin e dokumentacionit.

Kjo nuk ka të bëjë thjesht me një pagesë, por me mënyrën se si është konceptuar marrja e informacionit nga prokuroria, e cila është trajtuar përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave sikur të ishte një aplikim për kryerjen e ndryshimeve në statusin e pasurisë“, tha ai.

Në përfundim, Braho vlerësoi se raporti ka reflektuar në masë të madhe kontributin e SPAK-ut, por theksoi se sfida e radhës mbetet përkthimi i rekomandimeve në ndryshime konkrete ligjore.

Sfida mbetet që këto përcaktime të raportit të kthehen në dispozita ligjore të qarta dhe të zbatueshme. SPAK është i gatshëm që në vijim të këtij procesi të kontribuojë në konsultimin e drafteve të tjera ligjore që ne mendojmë se duhet të ndryshohen në këtë ligj“, deklaroi Braho.

GEAM Sh.p.k