A po shkon protesta drejt një force të re politike?

Kuvendi i parë Kombëtar Qytetar nuk ishte një mbledhje e qetë. Pati debate, kundërshti, tensione dhe përplasje mendimesh. Kaq mjaftoi që mediat pranë qeverisë, por edhe ministra e deputetë të mazhorancës, ta shpallnin menjëherë si një dështim, duke u fokusuar vetëm te momentet e debatit dhe jo te thelbi i asaj që ndodhi.

Por, nëse shihet me gjakftohtësi, realiteti është krejt tjetër.

Për herë të parë pas 48 ditësh protesta të pandërprera, lëvizja qytetare u ul në një tryezë për të diskutuar jo vetëm protestën e radhës, por edhe të ardhmen e saj. Ky është një moment krejt ndryshe nga tubimet në shesh. Në një protestë njerëzit brohorasin dhe bashkohen rreth një kauze. Në një kuvend përballen ide, vizione dhe propozime të ndryshme. Është krejt normale që të ketë debate.

Në fakt, mungesa e debatit do të ishte më shqetësuese sesa prania e tij. Një lëvizje që pretendon të përfaqësojë qytetarët nuk mund të funksionojë me vendime të parapërgatitura dhe duartrokitje. Pikërisht përplasja e ideve është ajo që i jep legjitimitet çdo organizimi demokratik.

Pyetja që doli nga Kuvendi ishte ndoshta më e rëndësishmja që nga dita e parë e protestave: Çfarë ndodh tani?

Pas 48 ditësh mobilizim, është e qartë se protesta nuk mund të mbetet pafundësisht vetëm një tubim në rrugë. Çdo lëvizje qytetare vjen një moment kur duhet të vendosë nëse do të mbetet një presion publik ndaj pushtetit apo do të ndërtojë një alternativë që synon ta sfidojë atë edhe në proceset demokratike.

Historia ka treguar se protestat mund të ndryshojnë klimën politike, por pushtetet ndryshohen përmes organizimit dhe votës. Pikërisht për këtë arsye, Kuvendi Kombëtar Qytetar mund të konsiderohet hapi i parë drejt fazës së dytë të kësaj lëvizjeje.

Nëse protesta synon të ketë jetë të gjatë dhe të prodhojë ndryshim real, atëherë asaj do t’i duhet të ndërtojë struktura përfaqësuese, rregulla funksionimi dhe një platformë të qartë politike. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht krijim i menjëhershëm i një partie, por do të thotë se lëvizja duhet të ketë një drejtim të zgjedhur dhe një strategji përtej protestave të përditshme.

Se një pritshmëri e tillë ekziston edhe te mbështetësit, e tregon edhe një sondazh i hapur online i Pamfletit. Në pyetjen “A duhet të shkojë protesta drejt një alternative të re politike?”, nga afro një mijë pjesëmarrës, 78% janë përgjigjur “Po”, 15% janë shprehur kundër, ndërsa 7% kanë abstenuar.

Natyrisht, një sondazh online nuk ka vlerën statistikore të një ankete shkencore, por ai jep një sinjal të qartë për humorin e një pjese të publikut që ndjek nga afër zhvillimet e protestës. Dhe ky sinjal është se pritshmëria nuk është më vetëm vazhdimi i protestave, por ndërtimi i një alternative që mund të konkurrojë politikisht.

Kjo është arsyeja pse fokusi vetëm te debatet e Kuvendit mund të jetë një lexim sipërfaqësor i asaj që ndodhi. Ajo që ka rëndësi është se protesta nisi të diskutojë seriozisht të ardhmen e saj. Dhe ky është një hap që, herët a vonë, çdo lëvizje qytetare duhet ta bëjë.

Nëse Kuvendi do të arrijë ta shndërrojë energjinë e protestës në organizim dhe program, atëherë 48 ditët e deritanishme mund të mbeten vetëm kapitulli i parë i kësaj lëvizjeje. Nëse jo, protesta rrezikon të mbetet një mobilizim i madh qytetar, por pa arritur të prodhojë alternativën që shumë prej mbështetësve të saj tashmë duket se e presin. /Pamfleti

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=476&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2F61591656516682%2Fvideos%2F1068717038925077%2F&show_text=false&width=267&t=0

GEAM Sh.p.k