3 persona janë arrestuar nga ana e FNSH dhe Shqiponjave në Elbasan, si të dyshuar për trafikimin dhe shpërndarjen e drogës, të llojit kokainë.

Hetimet për arrestimin e këtyre tre personave kanë zgjatur 3 muaj, dhe janë finalizuar mbrëmjen djeshme. Personat e arrestuar janë: Gëzim Mama, Hekuran Halili dhe Simon Stefa, të tre banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Simon Stefa u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri pistoletë, një sasi fishkësh dhe një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza.

Nga hetimet e kryera është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve, të cilët merreshin me shpërndarjen e kokainës në qytetin e Elbasanit.

Njoftimi i Policisë: 

Goditet një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht kokainë. Finalizohet pas 5 muajsh hetime, operacioni policor i koduar “Bulevardi”. Operacioni nga DVP Elbasan dhe FNSH, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen 2 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe 4 aparate celular.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të grumbulluara gjatë hetimit 5-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, në bashkëpunim me FNSH dhe Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”, në kuadër të të cilit u godit një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht kokainë, në qytetin e Elbasanit.

Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit: G. M., 34 vjeç, H. H., 44 vjeç dhe S. S., 54 vjeç, të tre banues në Elbasan. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. S. u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri pistoletë, një sasi fishkësh dhe një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza.

Nga hetimet e kryera është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve, të cilët merreshin me shpërndarjen e kokainës në qytetin e Elbasanit.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në bashkëpunim dhe në ngarkim të shtetasit S. S., edhe për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.