Dy persona janë vënë në pranga në Lezhë për transportim të emigrantëve të paligjshëm. Policia njoftoi se janë arrestuar Kujtim Ukaj, 32 vjeç dhe Edmir Jaho, 45 vjeç.

Ata u kapën në aksin rrugor Milot-Lezhë. Ukaj dhe Jaho udhëtonin me dy makina të ndryshme. Në këto makina ata kishin 12 emigrantë të cilëve u kishin marrë nga 500 euro me premtimin e kalimit të kufirit.

“Në aksin rrugor “Milot-Lezhë”, janë lokalizuar dhe ndaluar për kontrolle, automjetet tip “Benz” dhe tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasit Edmir Jaho dhe Kujtim Ukaj. Në këto automjete ishin në total, 12 emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët po transportoheshin nga 2 të arrestuarit, kundrejt 500 eurove/person, me qëllim kalimin e kufirit, në mënyrë të kundërligjshme”, njoftoi policia.

Operacioni për kapjen e tyre u quajt “Bllokada”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.