Nga emisioni Vetting: 

39 ditë para se të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 Taulant Balla u shpreh se edhe 39 ditë i ndante shqiptarët nga largimi i një familje që shtetin e kishte marrë peng. Balla premtoi se dhe 39 kishin mbetur nga dita kur familjet shqiptare të merrnin frymë lirisht, ai u shpreh se Partia Socialiste kishte qëllim ndërtimin dhe funksionimin e shtetit dhe me ardhjen e saj në pushtet Shqipëria do të rilindte.

Kanë kaluar 3130 ditë qysh kur Taulant Balla premtonte në emër të Partisë Socialiste një tjetër Shqipëri, një tjetër familje shqiptare, jo si ajo e kohës së Berishës.

Por si është sot Shqipëria dhe familja shqiptare kur jemi në mandatin e tretë të qeverisjes së socialistëve.

Emisioni “Vetting” ka udhëtuar në fshatin Pinar, për të parë se si është situata ekonomike në periferi të kryeqytetit. Fshati Pinar është jo më shumë se 15 km larg Tiranës. Është një ndër fshatrat e braktisura nga të rinjtë. Rrugët janë thuasje bosh, në oborret e shtëpive gjen ndonjë të moshuar. Atje takuam një banore të këtij fshati, Bukurie Metanin. Ajo është 76 vjeçe. Jeton vetëm në banesën e saj të dëmtuar nga tërmeti. Bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë, fëmijët janë në emigracion. Bukuria vuan prej disa sëmundjeve. Lista e ilaçeve është e gjatë por ajo i mban mend të gjitha me emra.

Bukuria merr vetëm 90 mijë lekë pension, ndërkohë lista e ilaceve që merr në muaj e tejkalon shumën 150 mijë lekë të vjetra duke përfshirë edhe rimbursimin që i takon si pensioniste.

Paratë që merr nga pensioni dhe çfarë i vijnë si ndihmë nga fëmijët, Bukuria i shpenzon thuajse të gjitha për ilaçe. Për të ngrënë mbeten shumë pak.

Në të njëjtin fshat në Pinar jeton edhe bashkëmoshatarja e Bukurisë, Caja. Ajo është e sëmurë dhe ecën mbi paterica.

I gjithë pensioni i Cajes shkon për ilaçe. Bashkë me bashkëshortin pensionist, marrin 200 mijë lekë të vjetra. Mbijetojnë falë ndihmës së fëmijëve.

Më pas shkuam në një qytet periferik për të parë se si jetojnë pensionistët atje. Fshati Bersnik është në periferi të qyteti të Gramshit pak metra larg.

Nevruz Seni është 81 vjeç. Ai jeton me bashkëshorten dhe 6 nipërit e tyre. Dy djemtë bashkë me bashkëshortet janë larguar pa dokumente në Greqi për të punuar pasi duhet të ushqejnë fëmijët e tyre.

Bashkëshortja e Nevruzit, Lime Seni tregon jetën e vështirë që ka kaluar, pasi ka vuajtur nga shumë probleme shëndetësore. Pavarësisht viteve të shumta të punës që ka bërë ajo merr vetëm 70 mijë lekë, të cilat nuk i dalin as për të blerë ilaçe.

Në fshatin Bersnik takuam vetëm një të ri. Ai është student në Tiranë. Për të ndihmuar familjen ai shkon gjatë verës në Greqi dhe punon në bujqësi. Thotë se të gjithë moshatarët e tij janë larguar nga fshati për shkak se nuk kanë asnjë mundësi ekonomike dhe disa prej tyre e kanë lënë dhe shkollën. E sheh të ardhmen në emigracion.

Si këta banorë ta varfër të fshatrave të Gramshit e Tiranës, janë rreth 622 mijë shqiptarë që jetojnë në kushte mbijetese me më pak se 5.5 dollarë në ditë. Kjo shifër është zyrtare e publikuar nga Eurostat. Kjo do të thotë se më shumë e se gjysma e popullsisë shqiptare jeton në varfëri ekstreme. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj kategorie të shoqërisë jetojnë në kushte primitive me kandil sepse nuk e paguajnë dot energjinë elektrike.

Vetting/Abcnews