Gjykata e Rrethit të Vlorës ka përfunduar gjykimin këtë të hënë ndaj të 5 të akuzuarve duke i shpallur fajtorë për atentatin ndaj Inez Hajrulla, në 10 Maj 2019.
Trupa gjykues e përbërë nga Pëllumb Zaimj, Entela Gjoni dhe Adelajda Gjyzi dënoi me
35 vite burgim Daut Elmazin për akuzën e ” Vrasjes në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
35 vite burgim për Gentjan Dautaj ( Zoto) për akuzën e ” Vrasjes në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve , armëve shpërthyese dhe municionit.
30 vite burgim për Igli Memaj ( Suloti) për akuzën e ” Vrasjes në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
Për të njëjtën akuzë më 25 vite heqje lirie janë dënuar edhe Serxhio Ademi ( Cima) dhe Albano Goxhaj.
Dinamika e ngjarjes:
Ngjarja u regjistrua më 10 maj të tre viteve më parë në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.
Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël.
Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë ngjarje kanë marë pjesë nëntë persona: Fatmir Hyseni, “Doqia”, Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit “Çipurit”, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko.
Pati dyshime të forta se atentati u krye si rezultat i larjeve të hesapeve mes grupeve rivale në Vlorë.
Sipas prokurorisë së Vlorës Inez Hajrulla në datën 10 maj 2019 ka qenë nën shoqërinë e Ervis Matodashaj, në ambientet e një lokali në Vlorë. Pikërisht në këtë vend disa persona kanë qëlluar me armë me qëllim për të vrarë Inez Hajrulla. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në shesh janë gjetur dy gëzhoja dhe një fishek i pa goditur. Si pasojë e këtyre të shtënave është plagosur rastësisht Dajko Canodemaj, i cili ka qenë duke pirë kafe.
Në ikje e sipër autorët e këtij krimi që ndodheshin brenda një automjeti tip “Land Rover” me ngjyrë jeshile dhe që në kokë mbanin maska, janë përplasur me dy automjete të rastit në afërsi të bashkisë Vlorë, dhe më pas kanë ikur në drejtim të fshatit Babicë. Policia u është vënë në ndjekje këtij automjeti dhe në afërsi të fshatrave Babicë e Vogël, dhe Çeprat, ky automjet është gjendur i djegur. Brenda në automjet ndodheshin dy automatikë të djegur plotësisht dhe një dorezë plastike e djegur pjesërisht. Për të zbardhur dinamikën e këtij krimi të rëndë policia dhe prokuroria e Vlorës kanë sekuestruar disa pamje filmike, nga të cilat evidentohet se mjeti “Land Rover”, afrohet dhe lëviz në shëtitoren e njohur “Lungomare” dhe në momentin që i afrohet lokalit , ndalon dhe nga dera e pasme e mjetit zbret një person.
Pikërisht në këtë moment gjashtë persona që ishin ulur në tavolina ngrihen dhe ikin me vrap.
Për këtë ngjarje vijon të jetë në kërkim Fatmir Hyseni, i kërkuar edhe si autor i ekzekutimit të Santiago Malkos, ngjarjes së ndodhur në bllok disa vite më parë