Një operacion antidrogë i zhvilluar nga autoritetet greke ka çuar në sekuestrimin e mbi 109 kilogramëve marijuanë në Igumenicë dhe arrestimin e tre personave të dyshuar si pjesë e rrjetit të trafikimit. Ndërkohë, në hetime janë përfshirë edhe strukturat e Policisë Kufitare në Sarandë.

Ngjarja u regjistrua dy ditë më parë në zonën e Nea Selefkias, pranë Igumenicës, ku policia greke ndaloi një automjet tip “BMW” që kishte hyrë në territorin grek nga kufiri i gjelbër me Shqipërinë. Gjatë kontrollit të mjetit, në sediljet e pasme dhe në bagazh u gjetën 102 pako me gjithsej 109 kilogramë e 364 gramë marijuanë, të fshehura në çanta sportive të zeza.

Në pranga përfundoi drejtuesi i automjetit, një shtetas turk 43 vjeç, i cili dyshohet se kishte marrë përsipër transportimin e lëndës narkotike drejt Athinës.

Paralelisht me hetimet në Greqi, autoritetet greke kanë njoftuar edhe Policinë Kufitare të Sarandës. Sipas dyshimeve paraprake, droga mund të ketë kaluar kufirin nga zona e fshatit Çiflik në Bashkinë e Konispolit, përmes një shtegu të gjelbër kufitar të njohur prej vitesh për raste të trafikimit të lëndëve narkotike.

Policia Kufitare e Sarandës ka intensifikuar kontrollet përgjatë kufirit tokësor dhe në zonat detare, me qëllim identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Ndërkohë, hetimet e autoriteteve greke kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin në Athinë të dy shtetasve grekë, të dyshuar si organizatorë ose bashkëpunëtorë në trafikimin e drogës.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se policia shqiptare po punon për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm në territorin shqiptar.

Sipas të dhënave të autoriteteve, gjatë 10 muajve të fundit në zonën e Igumenicës janë goditur disa raste të trafikut të marijuanës me origjinë nga Shqipëria, ku janë sekuestruar rreth 440 kilogramë lëndë narkotike. Në një prej rasteve, droga u gjet në një skaf që u fundos gjatë ndjekjes nga autoritetet, ndërsa drejtuesi i tij, një shtetas nga Saranda, u arrestua.

Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në zonat e Janinës, Kosturit dhe Selanikut. Vetëm gjatë 10 muajve të fundit, autoritetet greke kanë sekuestruar mbi 1.1 ton marijuanë që dyshohet se është trafikuar nga Shqipëria drejt Greqisë.

© BalkanWeb

GEAM Sh.p.k