Pasi mazhoranca kundërshtoi disa kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor për “Për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit “Për investimet strategjike”, 28 deputetë të PD-së iu drejtuan Kushtetueses në muajin korrik, duke pretenduar se “është cenuar e drejta e pakicës parlamentare për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor”.
Deputetët demokratë i kërkuan Kushtetueses që të interpretonte në mënyrë përfundimtare nenin 77/pika 2 të Kushtetutës, që parashikon se Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të një të katërtës të të gjithë anëtarëve është i detyruar të caktojë komision hetimor për të shqyrtuar një çështje të veçantë.
Por në mbledhjen e datës 28 tetor, Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos e pranojë kërkesën e PD-së për shqyrtim në seancë plenare, me argumentin se nuk plotëson kriteret formale, pasi kishte më pak firma deputetësh se ¼ e Kuvendit, një numër i domosdoshëm për të shqyrtuar një “mosmarrëveshje kompetencash”.
“Në kushtet kur konflikti i krijuar si rrjedhojë e vendimit të kundërshtuar të Kuvendit nr. 53/2022, në thelb, ka të bëjë me një mosmarrëveshje kompetence, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se në çështjen në shqyrtim një grup prej jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, si subjekt kushtetues i ndryshëm nga një e katërta e deputetëve, nuk përbën subjekt në konfliktin kushtetues,” thuhet në arsyetimin e vendimit, duke mos legjitimuar si subjekt në kërkesën drejtuar Gjykatës.
Ndërkohë, në arsyetim të vendimit ritheksohet dhe një herë detyrimi kushtetues i Kuvendit për të miratuar kërkesën e pakicës për hetim parlamentar.
Kundër këtij arsyetimi ishin anëtaret Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, të cilat në arsyetimin e pakicës, vlerësojnë se kërkesa plotësonte kushtet për fillimin e gjykimit kushtetues dhe duhej të kalonte për shqyrtim në seancë plenare. Sipas tyre, duhej të merrej parasysh e drejta e 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje gjykatën dhe gjykata të bënte një interpretim përfundimtar të dispozitës kushtetuese.
PD tentoi të ngrinte një hetim parlamentar, pasi Komiteti i Investimeve Strategjike mori vendim për t’i dhënë statusin “investitor strategjik” Artan Gaçit, ish-deputet socialist dhe bashkëshort i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Deputetët që kërkuan hetimin pretenduan se ligji po zbatohej në mënyrë klienteliste dhe jo transparente. Sipas tyre, statusin e investitorit strategjik, që parashikon vënie në dispozicion të pronave publike dhe benefite të tjera, e kanë përfituar njerëz pranë pushtetit dhe jo investitorë të huaj siç ishte qëllimi i ligjit.
Kërkesa e parë u rrëzua në konferencën e kryetarëve, pasi deputeti Agron Duka u tërhoq nga firma në momentin e fundit, por PS-ja rrëzoi me votim në seancë dhe kërkesën e re të plotësuar me firmat e 35 deputetëve./ BIRN