Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) pritet të zhvillohet sot seanca e parë e gjyqit në themel për kryebashkiakun Erion Veliaj e të tjerë të pandehur në dosje që kanë kërkuar gjykimin me proces normal.
Seanca e fundit e mbajtur më 10 qershor, u shty për shkak të mungesës së disa prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Veliaj gjithashtu mungoi dhe shkak është mbyllja të kafazin e xhamit. Kryebashkiaku e cilëson mbajtjen në kafaz si të paligjshme, antikushtetuese dhe diskriminuese.
Në seancën e fundit, treshja gjykuese i tha prokurorit të çështjes Ols Dado t’i çojë në qelinë e paraburgimit e mijëra faqe të tjera dokumente Veliajt, i cili gjatë gjithë kësaj kohe ka pretenduar se nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet hetimore.
Një tjetër kërkesë e Erion Veliajt që vijon të refuzohet nga gjykata është transmetimi live i seancës. Për mediat avokati Plarent Ndreca tha se i është drejtuar KLGJ me një kërkesë për të shpallur të pavlefshëm nenin 14 të një udhëzimi të vetë qeverisë së gjyqësorit, që sipas tij po përdoret nga gjykatat për të mos lejuar transparencë.






