Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëveshjen me kryeministrin britanik për emigrantët e paligjshëm në Britani. Në një prononcim për gazetarët, kreu i qeverisë theksoi se kanë arritur një dakordësi dhe se janë të gatshëm të ngrenë një skuadër speciale për të trajtuar këtë çështje.

“Kjo është një kërkesë e imja që në kohën kur Boris Johnson ka qenë sekretar i punëve të jashtme dhe e kam përsëritur sepse sa herë  kanë ndarë me ne këtë shqetësim, kam qenë konsistent në të njëjtën gjë. Mos flisni për krim shqiptar sepse nuk ekziston, krimi nuk ka etni.  Nëse keni problem dhe doni ndihmën tonë ne jemi të gatshëm që të ngremë një skuadër speciale siç e kemi bërë me vendet e tjera, që të merret 24 orë në kohë reale për identifikimin dhe ndarjen e informacionit dhe vëzhgimin dhe ndalimin e atyre që organizojnë këto rrjete të trafikut të klandestinëve.

Këtë herë kam pasur një bisedë goxha përmbajtësore me kryeministrin e fundit, dhe ai ka marrë përsipër që të thotë  bukur bukur por ta shtyjë përpara. Kemi bërë një dakordësi që është shprehur në deklaratën që keni lexuar. E rëndësishme është që më ka shprehur keqardhjen në mënyrë ekuivoke për çfarë ka ndodhur, për faktin që komuniteti shqiptar është zhvendosur në një dritë të gabuar. Më ka shprehur konsideratat për bashkëpunimin dhe ecurinë e punës së përbashkët në arenën ndërkombëtare dhe dëshirën që të takohemi shpejt dhe pastaj jemi ndalur tek kjo pesë që kam përsëritur të njëjtin princip.

Unë kam përsëritur të njëjtën gjë, nuk ka pse të ndahen shqiptarët, komuniteti shqiptar vetëm sjellë vlerë në çdo aspekt në çdo vend, problematikët nuk përfaqësojnë komunitetin tonë askund, janë jashtë nxjerrjet e një kombi si të çdo kombi. Nëse shanset për azil në Gjermani, Francë apo kudo janë zero, atëherë kërkojeni te vetja e te sistemi britanik, jo te qeveria shqiptare dhe as te ata që nisen për te ju. Ishte dhe një deputet interesant atje që pyeste ambasadorin tonë po këta pse nuk vijnë me WizzAir-in”, përfundoi Rama.

Kujtojmë që më herët kryeministri britanik theksoi ligje të reja për të trajtuar imigracionin e paligjshëm, duke thënë se kushdo që shkon në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht nuk do të lejohet të qëndrojë. Ai konfirmoi gjithashtu marrëveshjen me Shqipërinë për çështjen e emigrantëve./abcnews.al