Edson Arantes Do Nashimiento, i njohur nga të gjithë si Pele, po luan në këto ditë një ndeshje shumë të rëndësishme. Ish-sulmuesi i njohur i Brazilit është shtruar në gjendje të rëndë në spital në Sao Paulo dhe të gjithë familjarët e tij të afërt i janë bashkuar atje për të kaluar këto ditë që mund të jenë të fundit për legjendën e futbollit botëror.
Por ndërkohë, ka edhe persona të cilët po mundohen të përftojnë nga zgjimi i interesit rreth kësaj figure të njohur. Në këto ditë është nxjerrë në ankand një fanellë që mban firmën e Pele. Biznesmeni 49 –vjeçar. Andre Azeado nga Kuritiba, ka një fanellë të tijën të Santos dhe ka markën e autenticitetit të autografit që i është marrë ish-lojtarit në fundin e viteve ’90.
Për këtë fanellë ai kërkon 10,5 milionë real brazilian, rreth dy milionë dollarë. Ai e kishte shpalosur këtë fanellë në Hall of Fame të klubit të Santos, disa muaj më parë dhe në fillim u përfol se do ta shiste për 8,5 milion real. Por duket se interesi për Pelen është rritur dhe kështu edhe çmimi i hapjes së këtij ankandi. Shuma është marramendëse po të kihet parasysh që fanella nuk është ajo origjinale e Pele, vetëm autografi është i tiji.