Numri i të vdekurve në SHBA ka shkuar në 46, duke rritur frikën e autoriteteve nga moti i keq që ka përfshirë shumicën e shteteve amerikane. Edhe pse vala më e madhe duket se ka kaluar, shërbimi i motit në SHBA ka paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të vështira dhe kërcënuese për jetën.
Shumica e viktimave janë regjistruar në Nju Jork (18), guvernatorja e të cilit e ka cilësuar si dimrin më të keq në 60 vite. Sipas të dhënave të NBC-së, viktimat janë regjistruar në gjithsej 12 shtete amerikane: Kolorado, Illinois, Kansas, Kentaki, Michigan, Missouri, Nebraska, Nju Jork, Ohajo, Oklahoma, Tenesi dhe Wisconsin.
Përveç problemeve të transportit, 150 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa 140 mijë familje të tjera kanë mbetur pa energji elektrike në Kanada, kryesisht në Ontario dhe Quebec.
Në çdo rast, siç thonë përfaqësues të shteteve, procesi i përballjes së problemeve nga “cikloni i bombës” pritet të zgjasë. Bora në pjesën perëdimore të Nju Jorkut arriti në një thellësi prej 1.2 metrash, ku disa njerëz janë gjetur në makina dhe në anë të rrugës.
Guvernatorja e Nju Jorkut Kathy Hokul tha gjithashtu se ajo është në kontakt me Shtëpinë e Bardhë dhe se administrata Biden do t’i përgjigjet kërkesës së shtetit për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Më shumë se 3,000 fluturime u anuluan ditën e djeshme, të dielën, duke iu shtuar rreth 3,500 që u anuluan të shtunën dhe 6,000 të tjera që u anuluan të premten, sipas uebsajtit të specializuar Flightaware.com.